Agjencia Telegrafike Shqiptare

ANKARA – Erdogan diskuton me Trump për Sirinë

ANKARA, 15 dhjetor /ATSH-AA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun amerikan Donald Trump, ku sipas burimeve presidenciale, krahas marrëdhënieve dypalëshe, janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit në Siri.

Erdogan ka thënë se ka mirëpritur vendimin amerikan për tërheqjen nga Siria dhe ka rikujtuar se në këtë drejtim, Turqia është e gatshme të ofrojë çdo mbështetje për SHBA-në si aleat i saj në NATO.

Dy liderët, të cilët kanë vënë theksin në rëndësinë e komunikimit të shëndoshë për opinionin publik, kanë theksuar nevojën për përmbushjen e udhërrëfyesit për Munbixhin, të dakorduar mes dy vendeve, në mënyrë që të mos krijohet boshllëk autoriteti në rajon, si dhe nevojën që të mos u jepet mundësi elementeve që kërkojnë të pengojnë zbatimin e vendimit të tërheqjes.

Presidenti i Turqisë ka nënvizuar se vendi i tij nuk ka asnjë problem me kurdët dhe ka deklaruar se qëllimi i Ankarasë është t’i luftojë organizatat terroriste si ISIS, PKK dhe zgjatimet e PKK-së në Siri, të cilat paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare.

Dy presidentët gjithashtu ranë dakord të avancojnë marrëdhëniet ekonomike dypalëshe./ /os/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version