Siguria ushqimore, AKU: Gjatë një jave 444 inspektime në terren  

TIRANË, 14 janar /ATSH/ – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) gjatë javës që lamë pas, me qëllim sigurimin dhe garantimin e çdo produkti që tregtohet në vend, ka kryer 444 inspektime në të gjithë territorin e Shqipërisë.

AKU njofton se, nga inspektimet e kryera në subjekte të ndryshme ushqimore ka vendosur 101 paralajmërime, 7 gjoba dhe ka mbylluar 2 subjekte për mosrespektim të standardeve të sigurisë ushqimore.

Gjithashtu në bilancin e punës së kryer gjatë muajit të fundit AKU njofton se ka kryer 589 inspektime në Pikat Doganore, 355 analiza në të gjithë vendin, ndër to: 16% të rasteve ka qenë nga kontrollet zyrtare në Pikat e Inspektimit Kufitar, 13% të rasteve nga kontrollet zyrtare në terren dhe 71% të rasteve kanë qenë analiza vetëkontrolli.

AKU u bën apel konsumatorëve të drejtohen dhe blejnë vetëm produkte të kontrolluara në qendra dhe njësi tregtare që garantojnë kushte higjiene dhe standarde si dhe të njoftojnë inspektorët ushqimorë, për çdo rast ku vërejnë shkelje të ligjit për sigurinë ushqimore.

/e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.