Samir Karahoda dërgon Kosovën në Berlinale me filmin “Në mes”

PRISHTINË, 14 janar /ATSH/ – Filmi “Në mes” i autorit Samir Karahoda do të jetë pjesë e garës ndërkombëtare të filmave të shkurtër “Berlinale Shorts”.

Kjo është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e Berlinales, që njihet si një nga festivalet më prestigjioze në botë.

Filmi trajton dy tema paralelisht; fenomeni i ndërtimit të shtëpive të njëjta dhe migrimin, e cila veçmas theksohet nëpër këto familje.

Nëpërmjet personazheve, portretizohet marrëdhënia dhe solidariteti në mes vëllezërve; sakrifica dhe vendosmëria e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimi dhe rëndësia e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.

Autori i filmit Samir Karahoda është shprehur i lumtur që filmi i tij debutues si regjisor është vlerësuar nga ky festival prestigjioz.

“Në mes” është inspiruar nga projekti fotografik “Vëllezërit Kosovarë” në të cilin Karahoda ka punuar në vitin 2011.

Producenti i filmit Eroll Bilibani theksoi që ky fakt edhe njëherë dëshmon për kapacitetet kreative të kinematografisë kosovare.

Filmi është prodhim i SK Pictures, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Banka për Biznes, komuna e Prizrenit, komuna e Prishtinës dhe DokuFest.

Premiera e filmit në Berlinale do të jetë më 12 shkurt. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.