Kosovë/ MKRS e gatshme për bashkëpunim konkret me Zvicrën

PRISHTINË, 14 janar /ATSH/ – Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi priti sot në takim kryetarin e Odës Ekonomike Kosovë-Zvicër, Stefan Sarakany dhe kryetarin e fondacionit të artistëve nga Zvicra Jacob Abraham, me të cilët bisedoi për fillimin e bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Zvicrës.

Ministri Gashi tha se bashkëpunimi mes dy vendeve është në interes të realizimit të aktiviteteve kulturore që kanë për qëllim promovimin e kulturës shqiptare në vendet e ndryshme të Europës, me theks edhe në Zvicër, ku ndodhen shumë bashkatdhetarë nga Kosova.

Ai shprehu gatishmërinë për të mbështetur projektet që mundësojnë edhe shkëmbimin e artistëve, profesionistëve si dhe përvojave të mira mes Zvicrës e Kosovës për zhvillimin e mëtejshëm të ndërkëmbimit kulturor.

Ndërkaq të pranishmit në takim e falenderuan ministrin Gashi për pritjen dhe u shprehën të gatshëm për të filluar bashkëpunimin dhe realizimin e projekteve kulturore të cilat kanë për qëllim fuqizimin e kulturës në vend dhe në rajon. /KosovaPress//e.malaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.