FOTO/ Përfundon censi i shpendëve ujorë

TIRANË, 14 janar / ATSH / – Më 11 janar filloi censi i shpendëve ujorë dhe atyre migratorë në lagunat dhe basenet ujore të vendit tonë. Ky numërim përfundoi ditën e djeshme më 13 janar dhe disa Administrata të Zonave të Mbrojtura që morën pjesë në këtë numërim me specialistët e tyre, kanë nxjerrë dhe rezultatet paraprake në disa laguna.

Administrata e Zonave të Mbrojtura e Qarkut Vlorë, njofton paraprakisht disa rezultate për Lagunën e Nartës.

Specialistët e kësaj administrate “numri total i individëve të vëzhguar për vitin 2019 ishte 9930 dhe ky numër i krahasuar me vitin 2018, ku numri i individëve të vëzhguar ishte 8246, këtë vit ka një rritje  me 1684 individë”.

Nga 34 lloje të vëzhguara në lagunë, nga këta, 9 lloje janë vëzhguar këtë vit për herë të parë”.

Po kështu njofton dhe stafi i AdZM Elbasan, se më  12 janar 2019, kreu censin dimëror të zogjve me ekspert prof. Ferdinand Bego, në liqenet e Banjës, Belshit, Seferanit e Çestijes, i cili ishte risi për grupin e punës për përfaqësinë e llojeve të shpendëve që u konstatuan.

“Censi pritet të ofrojë edhe këtë vit vëzhgime të rëndësishme për disa lloje zogjsh që shënojnë për herë të parë dimërimin e tyre në këto zona”, thonë specialistët e kësaj administrate.

Edhe AdZM e Beratit jep rezultatet e kryera në liqenin e Thanës, ku veç shpendëve të tjerë u vërejt dhe prezenca e 33 Pelikanëve Kaçurel, që u cilësua dhe një surprizë për specialistët e kësaj administrate. Në të gjitha qarqet e vendit ku ka prezencë të baseneve ujore dhe u numëruan llojet dhe individët e shpendëve banues të përhershëm apo migratorë, po përpunohen të dhënat dhe së shpejti priten rezultatet përfundimtare.

Ky cens u mbështet nga përfaqësues të projektit NaturAl, specialistë dhe ekspert të AdZM-ve të qarqeve, pedagogë të biologjisë dhe ekspertë të huaj.  /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.