KOSOVË – Thaçi & Haradinaj: Maqedonia hap të madh përpara drejt strukturave euroatlantike

PRISHTINË, 12 janar /ATSH-MIA/ – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj përshëndetën votimin në parlamentin maqedonas për amendamentet kushtetuese me të cilat Maqedonia i dha fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare me Greqinë rreth emrit duke theksuar se Republika e Maqedonisë bëri një hap të madh përpara duke  hapur perspektivat e stabilitetit politik dhe ato euroatlantike.

“Parlamenti i Republikës së Maqedonisë dëshmoi guxim, vizion dhe vetëdije të lartë, duke votuar për ndryshimet kushtetuese të parapara me Marrëveshjen e Prespës, që shënojnë hapin final drejt ndryshimit të emrit të vendit. Vendimi i tyre nuk ka qenë fare i lehtë, as popullor, por ishte vendim i duhur, i cili tejkalon interesat partiake për shtetin dhe qytetarët”, shkroi Thaçi në Facebook.

”Viti 2019 duhet të jetë vit i vendimeve të mëdha edhe për Kosovën. Vit kur duhet të përmbyllet edhe konflikti shekullor mes Kosovës dhe Serbisë, me një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse për paqen dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore”, theksoi ai.

“Përshëndes votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë, për ndërrimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, si hap madhor në rrugën e integrimeve euro-atlantike të shtetit fqinj. Kjo ngjarje me peshë në historinë e re të Ballkanit Perëndimor është shpresë që rajoni ynë po shkon drejtë paqes së përhershme. Përgëzoj homologun tim Zoran Zaev për vizionin e dëshmuar properëndimor dhe shqiptarët në Maqedoni për rolin kyç në këto ndryshime”, tha nga ana e tij kryeministri Haradinaj në Facebook./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.