Financim për ndërmarrjet sociale, kriteret dhe masa e përfitimit

TIRANË, 10 janar /ATSH/ – Qeveria ka vënë në dispozicion për financimin e ndërmarrjeve sociale në vend një fond prej rreth 250 milionë lekësh për 3 vitet e ardhshme, ku për vitin 2019 janë parashikuar 61 milionë lekë dhe me rritje në dy vitet pasues.

Vendimi i qeverisë është botuar në Fletoren Zyrtare duke i hapur rrugë lëvrimit të këtij fondi që subvencionon veprimtarinë e ndërmarrjeve sociale, vendet e reja të punës të krijuara për punësimin e individëve nga grupet e pafavorizuara dhe sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që u përkasin po këtyre grupeve.

Konkretisht fondet për secilën kategori ndahen: 135 000 000 lekë për subvencionimin e veprimtarisë së ndërmarrjeve sociale; 37 000 000 lekë për krijimin e vendeve të reja të punës; 7 776 000 lekë për sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që u përkasin grupeve të pafavorizuara.

Përfituese janë ato ndërmarrje që paraqesin një projektpropozim ose plan biznesi, duke demonstruar se zërat e parashikuar për mbështetje janë të rëndësishëm për zhvillimin dhe zgjerimin e veprimtarisë së tyre. Dhënia e subvencionit kushtëzohet me punësimin e personave nga kategoritë e grupeve të pafavorizuara dhe kohëzgjatja e kontratës të jetë jo më pak se dy vjet.

Pagesa, bëhet 50% me miratimin e aplikimit dhe 50% pas realizimit të shpenzimeve, kundrejt faturave të paraqitura, të cilat vërtetojnë shpenzimet e kryera. Subjektet aplikuese nuk duhet të kenë shkelur legjislacionin e punës dhe atë tatimor lidhur me detyrimet ndaj punëmarrësve, për aq kohë sa kryejnë veprimtarinë. Një ndërmarrje mund të përfitojë në total në 3 vite, 14 milionë lekë grante. /e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.