TIRANË, 10 janar/ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta reagoi në mbrojtje të vendimit të tij për mosdekretimin e Gent Cakajt në postin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Për Presidentin Ilir Meta “pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të padiskutueshme”.
“Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë CIJ_ICJ janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si President i vendit tim”, u shpreh Meta.
Kryeministri Edi Rama reagoi pas kësaj deklarate duke u shprehur se “Ilir Meta me qyqarët e kadrinjtë mbrojnë Kosovën nga një shqiptar i Kosovës”.
Rama e konsideroi marre, “që Presidenti ynë shkeli Kushtetutën, goditi qeverinë dhe nëpërkëmbi një djalë të ri e të paktën 1000 herë më të ditur se ai”.
“Që Presidenti ynë të shkelë Kushtetutën, godasë qeverinë, nëpërkëmbë një djalë të ri e të paktën 1000 herë më të ditur se ai, duke u marrë paturpësisht me fjalë si të ishte Dëshmitari X… Oh çfarë marre! IM me qyqarët e kadrinjtë mbrojnë Kosovën nga një shqiptar i Kosovës. Pupupu”, u shpreh Rama./m.m/j.p/
