Zgjidhet ankesa e studios ligjore për zhbllokim të llogarisë bankare

TIRANË, 9 janar/ATSH/- Studios ligjore “Muzaka &Partners”shpk, iu zhbllokuan llogaritë bankare, pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”, pasi ajo kërkonte sistemimin e detyrimit tatimor dhe zhbllokimin e llogarive bankare nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, Tiranë.

Edhe pse Drejtoria e Apelit që në maj 2018, i kishte dhënë të drejtë shoqërisë DPTTV nuk kishte reflektuar ndryshimin e përgjegjësisë tatimore, duke gjeneruar detyrime e gjoba për subjektin, deri në bllokimin e llogarive bankare.

Me marrjen e kësaj ankesë DPTTV verifikoi dokumentacionin e depozituar nga shoqëria dhe të siguruar nga Drejtoria Rajonale Tatimore, kreu sistemimet përkatëse si dhe urdhëroi zhbllokimin e llogarive bankare të subjektit në datën 7 dhjetor 2018.

Në takimin e zhvilluar sot me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “e vetmja mënyrë për të përballuar këto situata është duke qenë bashkë, duke komunikuar dhe ndërvepruar. Ky është thelbi që quhet bashkëqeverisje, jo për një fjalë të bukur, por sepse përmbarësisht ndryshon jetën e njerëzve dhe komunitetit”.

“Ne kemi gjithë gatishmërinë dhe gjithë vullnetin që të pranojmë të metat, gabimet dhe boshllëqet kemi gjithë këmbënguljen e nevojshme duke shkuar përpara duke përmirësuar gjërat dhe vetveten. Ajo që është e rëndësishme është që qytetarët të mos rrinë në pritje. Një nga komunikimet e mbrëmshme ishte me një student që pretendonte se i kishin kërkuar lekë për të hyrë në punë në një institucion”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se “shqiperiaqeduam.al” është vendi ku ti nëse e ke konkret shprehjen e shqetësimin tënd se kështu më thanë. Do ta bëj më tha dhe pres ta bëjë, është një mënyrë e thjeshtë që ai të fitojë të drejtën të hyjë në atë punë dhe kush i ka kërkuar lekë, nëse i ka kërkuar, të shkojë në burg”.

“Kjo do kurajo civile dhe vendosmëri. Ne e kemi kurajon dhe vendosmërinë ta bëjmë këtë punë, por të vetëm nuk mund të bëjmë shumë gjëra që së bashku mund ti bëjmë menjëherë”, tha Rama./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.