Reshjet e dëborës, rrugët nacionale në Pukë të kalueshme me zinxhirë

TIRANË, 9 janar 2019/ATSH-E.Caushi/ – Reshjet e dendura të dëborës të cilat kanë përfshirë vendin tonë prej disa ditësh kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor.

Bashkia e Pukës në informacionet e fundit të dërguara rreth situatës së rrugëve në këtë bashki, bën me dije se akset nacionale të cilat mirëmbahen nga kontraktorët e Autoritetit Rrugorë Shqiptar janë të hapura dhe kalohen vetëm me zinxhirë, ndërsa segmentet rrugore rurale të cilat janë të pa asfaltuara momentalisht janë të bllokuara.

Bashkia bën me dije se akset rrugore që lidhin Pukën me Qerretin dhe Qelzën, gjatë ditës janë hapur tre here dhe aktualisht kalohen me zinxhir, ndërkohë që mjetet do të punojnë edhe gjatë mbrëmjes me qëllim mbajtjen hapur të tyre.

Sipas kësaj bashkie, në këto ditë të ftohta dimri dhe me reshje dëbore të dendura nuk ka pasur asnjë rast emergjence, ndërsa vijon normalisht furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike për banorët.
Shtabi i Emergjencave pranë bashkisë do të funksionojë pa ndërprerje dhe i gatshëm të ndërhyjë për çdo rast emergjent. Shkollat në këtë bashki do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura deri nesër. Bashkia Pukë u ka bërë thirrje qytetarëve që të evitojnë daljet gjatë orëve të vona të natës, duke vendosur edhe numrat e emergjencës për çdo vështirësi që do të hasin banorët (127 shërbimi i urgjencës. 128 shërbimi zjarrfikës 129 Policia e Shtetit).

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.