Meta: Leskaj të qëndrojë në krye të KLSH-së deri në zgjedhjen e kryetarit të ri

TIRANË, 9 janar /ATSH/- Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nëpërmjet një letre i ka kërkuar të mërkurën, kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) Bujar Leskaj, të qëndrojë në krye të KLSH-së, deri sa të zgjidhet kryetari i ri i këtij institucioni.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka dekretuar largimin nga detyra si kryetar i KLSH-së të Bujar Leskaj, të cilit i mbaroi mandati në fund të dhjetorit 2018.

“Për sa i takon ushtrimit të mandatit si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas përfundimit të afatit 7-vjeçar të tij, kjo çështje është e zgjidhur nga vet ligji nr 154/2014 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shteti’ ku në nenin 24 parashikohet shprehimisht se:“Pas përfundimit të mandatit të Kryetarit të Lartë të Kontrollit të Shtetit, ky i fundit qëndron në detyrë deri në zgjedhjen e Kryetarit të Ri”, thuhet ndër të tjera në një letër që Presidenti Ilir Meta i ka dërguar Leskajt dhe për dijeni të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.

Letra vjen pasi KLSH njoftoi më herët gjatë kësaj të mërkure se pas përfundimit të mandatit, Leskaj i kishte deleguar kompetencat e Kryetarit të këtij institucioni, zv/kryetarit zj.Lindita Milo.

 

 

 

e.xh/e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.