Foto/Fondi për Komunitetin”, rikonstruktohet pallati në rrugën “A. Z. Çajupi”

TIRANË, 9 janar/ATSH/- Edhe pse në një prej zonave më të preferuara të kryeqytetit, 22 familje në rrugën “A. Z. Çajupi” në njësinë 5 jetonin prej vitesh në një pallat të amortizuar.

Por, përmes “Fondit të komuniteteve”, një projekt i iniciuar nga Bashkia e Tiranës, dhe bashkëpunimit mes komunitetit e administratorit të pallatit, realiteti për këta banorë ka ndryshuar tërësisht.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u njoh nga afër me transformimin e pallatit, pas aplikimit në Fondin e Komuniteteve, çka ka përmirësuar ndjeshëm edhe jetën e banorëve.

Ai ftoi të gjithë qytetarët që të caktojnë sa më parë administratorët e pallateve të tyre dhe përmes tij të aplikojnë për të përfituar nga “Fondi i Komuniteteve”. “Ftesa ime për banorët dhe duarartët e tjerë që duan të imitojnë atë që ndodhi me banorët në rrugën “Çajupi”, është të aplikojnë pranë bashkisë. Gjysmën e fondit Bashkia, gjysmën e fondit banorët, arrijmë t’i shtojmë deri në 30% vlerën pallatit. Siç e thanë edhe banorët, për 2-3 vjet, edhe investimi i tyre, vetëm prej veshjes me kapotë, kursen shpenzimet për energji”, tha Veliaj.

Ndërkaq, kryebashkiaku theksoi se krahas vëmendjes për rehabilitimin e godinave të cilat shërbejnë si objekte banimi për qytetarët e Tiranës, pjesa më e madhe e investimeve këtë vit do të shkojë për investime në “Qytetin Studenti” dhe përmirësimin e kushteve të studentëve. Administratori i pallatit, Gojart Salja, vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës, e cila jo vetëm ka përmirësuar kushtet e jetës për banorët e këtij pallati, por edhe ka ulur shpenzimet për ngrohje. z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.