Dëbora mbulon edhe Gjirokastrën, punë intensive për pastrimin e rrugëve

TIRANË, 9 janar /ATSH/ – Bashkia e Gjirokastrës po vijon punën intensive për pastrimin e rrugëve brenda në qytet nga dëbora e cila prej dy ditësh ka mbuluar qytetin.

Në qarkun e Gjirokastrës vijojnë reshjet e dëborës me intensitet të lartë. Trashësia e dëborës arrin në 15-20 cm, ndërsa temperaturat shënojnë -1 gradë celcius.

Terreni i thyer, intensiteti i reshjeve të dendura të dëborës vështirësojnë edhe përdorimin e mjeteve borëpastruese për të hapur akset kryesore të rrugëve të brendshme të qytetit.

Bashkia e Gjirokastrës i bën gjithashtu apel dhe të gjithë qytetarëve që duhet të minimizojnë lëvizjen me mjete motorike për të shmangur çdo rrezikshmëri. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.