Zyrtare – “Barcelona” nënshkruan me mbrojtësin Tobido

TIRANË, 8 janar/ATSH-E.Caushi/ – Ekipi i “Barcelonës” ka nënshkruar me mbrojtësin Zhan-Kler Todibo, duke përforcuar edhe më tepër repartin difensiv.

19-vjeçari i cili është aktivizuar në radhët e ekipit francez të “Tuluzës”, ka tërhequr vëmendjen e një sërë ekipeve europiane, por ai ka vendosur që të nënshkruaj për ekipin blaugranas.

“Barcelona” ishte në ndjekje të 19-vjeçarit për disa kohë dhe duke parë problemet që janë shfaqur së fundmi në repartin e mbrojtjes, katalanasit kanë vendosur që të nënshkruajnë me Tobidon.

Tobido do të vijë në Kamp Nou këtë verë, por ai do të jetë nën vëzhgimin e emisarëve të klubit katalanas gjatë aktivizimit të tij te “Tuluzë”,  të cilët do të vendosin në bazë të performancës, nëse 19-vjeçari do të vijë direkte në Barcelonë, apo do të huazohet në ndonjë klub tjetër.

Në garë per shërbimin e mbrojtësit ishte dhe “Juventusi”, por zgjedhja e lojtarit ishte “Barcelona”, zgjedhje e cila është imponuar disi edhe nga bashkëpatrioti i mbrojtësit, Erik Abidal.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.