Rama: Pengmarrësit e protestës dizinformojnë studentët, të mos paguhet më shumë se 50%

TIRANË, 8 janar/ATSH/ “Pengmarrësit që e degjeneruan protestën studentore në mbyllje dyersh me dhunë e në shfaqje rrugore të brutalitetit të injorancës, po përpiqen të dizinformojnë studentët lidhur me tarifat”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke folur për zhvillimet që lidhen me protestën e studentëve.

Sipas Ramës, “pengmarrësit që e degjeneruan protestën studentore po dizinformojnë studentët në bashkëpunim me disa fundërrina të universitetit”.

“Pengmarrësit që e degjeneruan protestën studentore në mbyllje dyersh me dhunë e në shfaqje rrugore të brutalitetit të injorancës, po përpiqen të dizinformojnë studentët lidhur me tarifat në bashkëpunim me disa fundërrina të universitetit! Askush të mos paguajë më shumë se 50%”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi se “është miratuar në dhjetor VKM për të paguar 50% të tarifave për të gjithë (100% për ata me 9/10 e me ndihmë ekonomike+bursë 10 mijë lekë) dhe qeveria do t’ua kalojë lekët direkt universiteteve një për një brenda janarit”.

“Fryma e qëllimet e protestës janë tanimë pjesë e rrugës sonë”, shtoi Rama. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.