Meta: Dialogu Kosovë-Serbi t’i shërbejë të ardhmes europiane të dy vendeve

TIRANË, 8 janar/ATSH/- Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta priti sot në mbrëmje në një takim liderin e Vetëvendosjes në Kosovë, Albin Kurti.

Forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve, në interes të përbashkët dhe të forcimit të perspektivës europiane jo vetëm të Shqipërisë e të Kosovës, por të gjithë rajonit ishte temë kryesore e takimit.

“Kënaqësi e veçantë të prisja sot në mbrëmje në një takim të veçantë Liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti. Forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve tona në interes të përbashkët dhe të forcimit të perspektivës europiane jo vetëm të Shqipërisë e të Kosovës, por të gjithë rajonit tonë ishte temë kryesore. Në këtë drejtim, theksova rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi që t’i shërbejë të ardhmes europiane të të dy vendeve dhe konsolidimit të bashkëjetesës e paqes në rajon”, -thotë Meta.

Presidenti i Shqipërisë gjatë takimit të mbajtur me Kurtin, vlerësoi “Vetëvendosjen” si forcë kryesore politike që sipas tij, duhet të luajë rol të rëndësishëm për forcimin e shtetit të Kosovës dhe arritjen e konsensusit të plotë për një dialog të suksesshëm dhe të qëndrueshëm me Serbinë. z.tosku/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.