TIRANË, 8 janar/ATSH/- Në bashkinë e Pukës janë marrë të gjithë masat për të lehtësuar sa është e mundur jetën e qytetarëve, si pasojë e motit të ftohtë me temperatura që arrijnë deri në -13 gradë Celsius.
Shërbimi Meteorologjik ka njoftuar se veç zonave të tjera edhe territori i bashkisë Pukë do të karakterizohet nga moti i ftohtë me temperatura që arrin deri në -13 gradë Celsius.
Nga mbrëmja e kësaj të marte, 8 janar, i gjithë territori i bashkisë Pukë do të karakterizohet nga reshjet e borës, të cilat sipas parashikimit do të jenë prezente edhe gjatë ditës së mërkurë, 9 janar.
Bashkia e Pukës bën të ditur se “para fillimit të reshjeve të borës do të bëhet kriposja e rrugëve të qytetit dhe segmenteve rrugore rurale me rrezikshmëri të lart rrëshqitje, Qafë Qerreti-Qelëz dhe Qafë Qerret-Qerret. Për pastrimin e rrugëve nga bora do të vihen në funksion dy automjete borëpastruese të përqendruara fillimisht në rrugët e sipërcituara”.
“Mëngjesin e datës 9 janar ndërmarrja e shërbimeve do të bëjë pastrimin e shkallëve dhe shtigjeve të tjera për qarkullimin pa rrezikshmëri të qytetarëve. Ndërsa Shërbimi Zjarrfikës, Ndërmarrja e Shërbimeve, Policia bashkiake, Zyra e Koordinatorit për Informim dhe Koordinim pranë bashkisë kalojnë në gjendje gatishmërie me qëllim ndihmën ndaj qytetarëve në çdo rast nevoje”, thekson bashkia.
Bashkia Pukë i bën apelon qytetarëve për kujdes të shtuar.
“Qytetarët janë të lutur të mos parkojnë mjetet e tyre në orët e mbrëmjes deri në mëngjes (18:00-08:00) përgjatë rrugës kryesore të qytetit. Parkimi i mjeteve bëhet pengesë për pastrimin e rrugës nga Bora, por rrezikoni dhe mjetet tuaja nga ndonjë dëmtim i mundshëm si pasojë e lëvizjes të mjeteve borëpastruese”, shprehet bashkia.
Po ashtu këshillohet evitimi i lëvizjes gjatë natës nga këmbësorët kryesisht në rrugët e zonave rurale, lëvizja me mjete në akset rrugore problematike, të cilat karakterizohen nga terrene të rrëshqitshme.
Bashkia e Pukës kërkon evitimin e qarkullimit nga ata automjete, të cilat nuk plotësojnë parametrat teknikë për lëvizje në terrene me prezence bore dhe ngricash, ndërsa prindërit janë të lutur që nesër në mëngjes të shoqërojnë nxënësit gjatë lëvizjes drejt institucioneve arsimore.
Një tjetër apel i bashkisë është që qytetarët të lënë çesmat pak të hapura me qëllim evitimin e ngrirjes të tubacioneve.
Për çdo rast vështirësie, thotë bashkia kërkoni ndihmë nëse jeni të bllokuar në akset rrugore nacionale njoftoni Policinë e Shtetit në numrin pa pagesë 129, nëse fshati juaj është izoluar nga bora njoftoni bashkinë përmes numrin pa pagesë të Shërbimit Zjarrfikës 128.
Ndërkohë që nëse qytetarët kanë një emergjencë shëndetësore të kërkojnë ndihmë në numrin pa pagesë të Shërbimit të Urgjencës 127./k.s/ /a.g/
