Thaçi: Kosova gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe

PRISHTINË, 7 janar /ATSH/ – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, paralajmëron heqjen e mundshme të takses 100% për produktet e Serbisë.

“Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë, i kam thënë gazetës “The Washington Post”, duke kërkuar që SHBA-ja të marrë rol udhëheqës në koordinimin e inputit ndërkombëtar për Marrëveshjen Paqësore finale që do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërgjegjja jonë na kërkon – dhe është detyrë e jona historike – që të bëjmë paqen të mundshme dhe të vërtet”, u shpreh Presidenti kosovar.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 28 dhjetorit 2018 miratoi vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për masën prej 100% për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina të datës 21 nëntor 2018, nga i cili hiqet paragrafi 2 i vendimit bazë, me të cilin përjashtohen markat, brendet e njohura ndërkombëtare të vendeve tjera, të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë.

“Qeveria ka shprehur respekt të jashtëzakonshëm për sugjerimet e aleatëve që të mos vazhdohet me veprime të tjera, por është e papranueshme letra e Kryeministres së Serbisë dërguar kryeministrave të vendeve që e kanë njohur pavarësinë që të tërheqin njohjen”, tha Kryeministri Haradinaj.

“Po ashtu, është e papranueshme heshtja e zyrtarëve të lartë të BE-së, në këtë rast e zonjës Mogherni dhe komisionerëve të tjerë, në ketë letër”, vijoi ai, i cituar në njoftimin nga mbledhja dërguar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
“Kjo është një vepër agresioni, por edhe përkundër kësaj ne nuk do të vazhdojmë me masa tjera shtesë ndaj produkteve serbe, por do ta respektojmë masën 100 për qind, ndërsa heqja e listës së brendeve është e karakterit tjetër”, tha Kryeministri Haradinaj në mbledhjen e qeverisë së Kosovës. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.