Nxënësit e gjimnazit “Ismail Qemali” e nisin vitin me ambiente të rikonstruktuara

TIRANË, 7 janar/ATSH/ – Ky fillim viti ka nisur i mbarë për të gjithë komunitetet e njësive 1 dhe 2 në kryeqytet.

Një prej shkollave ikonë të Tiranës, gjimnazi “Ismail Qemali”, ka hapur dyert këtë fillim viti me standarde moderne. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të klasave, palestrës dhe terreneve sportive të jashtme, ndërsa ka instaluar edhe sistemin e ngrohjes qendrore.

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Vasilika Hysi, inspektoi mjediset e rikonstruktuara dhe tha se “jam shumë i lumtur që ia mbërritëm kësaj dite, që shkolla “Ismail Qemali” të hidhej në tokë e të ringrihej nga e para, tamam si një feniks për këtë vit të ri”.

Nxënësit sot kanë një ambient të rinovuar, duke filluar nga fushat pasi është ndër të vetmet shkolla që ka edhe fushë tenisi, volejbolli, futbolli dhe basketbolli sikurse edhe një palestër, një sallë force, me ndriçim LED dhe ngrohje me pelet.

Brenda një kohe të shkurtër, bashkia e Tiranës ka realizuar ndërhyrje cilësore për përmirësimin e infrastrukturës në shumicën e gjimnazeve të kryeqytetit, ndërkohë që shumë shpejt do t’i shtohen edhe 17 shkolla të reja.

“Një nga arsyet pse kemi një mbipopullim në këtë shkollë është kryesisht prej cilësisë, megjithatë hapja e shkollave të reja dhe fillimi i 17 themeleve për 17 shkolla të reja do të ulë edhe këtë presion”, tha Veliaj.

Krahas përmirësimit të infrastrukturës, në shkollat e kryeqytetit japin mësim edhe mësuesit më të mirë të përzgjedhur nga portali “Mësues për Shqipërinë”.

Kryebashkiaku vlerësoi edhe nismën e Kryeministrit Rama për të ndihmuar nxënësit ekselentë, një inkurajim më shumë për të dalë me rezultate të larta. “Me ofertën e kryeministrit që nxënësit me 9-ta dhe 10-ta kanë arsim universitar falas dhe tarifa 0, plus një bursë, unë besoj se kemi bërë të gjithë inkurajimin e mundshëm, si financiar, si infrastrukturor, që realisht ata që janë më të mirët, jo vetëm të shpërblehen dhe të respektohen, por të kenë mundësi të shkëlqejnë pa futur dorën në xhep, sepse besoj që shoqëria ia ka detyrim brezit të ardhshëm, të atyre që janë realisht më të mirët”, tha ai.

Deputetja e PS, Vasilika Hysi falenderoi kryebashkiakun Veliaj për vëmendjen e treguar në këtë njësi dhe për investimet e vazhdueshme që janë realizuar. “Kam shumë besim që këtë vit do të kemi jo vetëm 17 dhurata të tjera, por edhe shumë e shumë të tjera. Ky rikonstruksion, sidomos për nxënësit që takuam, të Maturës Shtetërore, bashkë me vendimet që ka marrë Qeveria, është një shans shumë i mirë për brezin e ri, i cili do të gëzojë jo vetëm frytet e kësaj shkolle, edhe frytet e fillimit të studimeve në universitet, me tarifa 0 për studentët e ekselencës, por edhe me lehtësira shumë të mëdha për studentët e tjerë”, nënvizoi Vasilika Hysi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.