Durrës – Moti i keq, vonesa për tragetet që mbërrijnë nga Italia

TIRANË, 7 janar/ATSH/ – Dy tragetet e linjës Bari – Durrës do të mbërrijnë në qytetin-port me disa orë vonesë për shkak të detit të trazuar dhe të erës së fortë.

Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual Durrës bënë të ditur se era me drejtim nga verilindja dhe me shpejtësi rreth 45 km/orë ka shkaktuar vonesa në lundrimin e trageteve “Prince” dhe “AF Francesca” nga Bari drejt Durrësit.

Trageti “Prince” pritet të mbërrijë në Durrës rreth orës 13:00, ndërsa trageti “AF Francesca” parashikohet të jetë në port rreth orës 16:00.

Era e fortë në pjesën jugore të Adriatikut në javët e fundit ka krijuar disa herë vonesa gjatë lundrimit të trageteve drejt Durrësit dhe anasjelltas./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.