Dibër/ Të gjitha rrugët të kalueshme, nuk ka prani dëbore dhe akulli

TIRANË, 7 janar/ATSH/- Në qarkun e Dibrës të gjitha rrugët nacionale dhe ato rurale janë të kalueshme dhe nuk ka prani dëbore dhe akulli.

Prefekti i qarkut Nexhbedin Shehu tha për ATSH-në se “kontraktorët kanë mirëmbajtur rrugët si pasojë e reshjeve të dëborës që kanë përfshirë qarkun e Dibrës që prej 2 janarit. Ndërsa në gatishmëri ka qenë edhe policia, si dhe bashkia për rastet e emergjencës”.

“Në fshatrat e thella rrugët nuk janë të bllokuara, si dhe ka pasur furnizim me energji elektrike, me përjashtim të prerjeve 1 ose 2 orë”, tha Shehu.

Sipas tij, në të gjitha shkollat ka filluar procesi mësimor, ndërsa spitalet dhe qendrat shëndetësore janë të pajisura me medikamente në raste emergjence.

Por, vijon ai, problematikë mbeten dy segmente Peshkopi-Kala e Dodës dhe Peshkopi-Reç, ku nuk kemi kontraktorë.

“Janë rreth 60 km rrugë që i kemi mirëmbajtur me bashkinë, por për fat të mirë nuk ka pasur shumë dëborë në këto segmente”, tha Shehu.

Ai tha se kam folur edhe me drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar për zgjidhjen e kësaj problematike dhe sa më shpejt do të bëhet e mundur vendosja e kontraktorëve për këtë rrugë.

Vend ynë prej 2 janarit është mbuluar nga reshjet e dëborës në zonat jugore, juglindore dhe veriore. Në Peshkopi dëbora është 1-2 cm, ndërsa në zonat e banueshme të thella ka arritur në 10-15 cm. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.