ARRSH: Të gjitha akset rrugore kombëtare janë të kalueshme

TIRANË, 7 janar /ATSH/ – Autoriteti Rrugor Shqiptar, njofton se të gjithë akset rrugor kombëtarë janë të kalueshëm edhe pse gjatë ditëve të fundit vendi ynë është përfshirë nga temperatura të ulëta, dhe reshje të dendura dëbore në disa zona.

Reshje dëbore pati në Korçë, Gjirokastër, Kukës, Tropojë e disa qytete të tjera të vendit. Vështirësi u hasën vetëm në qarkun e Kukësit.

Strukturat e emergjencave civile të tre bashkive Kukës, Has dhe Tropojë njoftojnë se nuk janë regjistruar probleme të mëdha në këto zona.

ARRSH sqaron se po punohet nga firmat kontraktore për pastrimin dhe mbajtjen në gatishmëri të rrugëve, si dhe është hedhur kripe në segmentet problematike.

Gjendja e rrugëve rurale të bashkisë Kukës është si më poshtë:

Është e bllokuar rruga në drejtim të njësisë administrative Arrën.

Rrugët në njësinë administrative Kalis dhe Grykë Çajë, janë të kalueshme por me vështirësi.

Për rrugët e njësisë administrative, Zapod po punohet për hapjen e lidhjen e fshatrave ndërmjet tyre.

Rruga Kukës-Shishtavec po pastrohet dhe hidhet krip nga mjetet e bashkisë Kukës.

Të gjitha rrugët janë të kalueshme edhe në bashkitë Tropojë dhe Has.

Ndërkohë ARRSH, thekson se nuk ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në këtë qark.

Aktualisht ka pak reshje dëbore në qytet dhe në zonat e ulëta, dhe reshje pak më të dendura në zonat malore. /o.l//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.