Projektet transformuese në Fier, nga lumi Gjanica te parkimi nëntokësor

TIRANË, 5 janar/ATSH-Maela Marini/.- Investimet infrastrukturore për rehabilitimin e lumit Gjanica dhe qendrën e qytetit, përkthehen në transformime të mëdha urbane me impakt afatgjatë për Bashkinë e Fierit.

I kthyer në një kantier të madh ndërtimi, Fieri sot po pëson ndryshime të pakrahasueshme.

Qendra e Fierit do të transformohet në një hapësirë e re publike, ndërsa lumi Gjanica, do të jetë pjesë integrale e qendrës së re të qytetit të rilindur.

Rehabilitimi i lumit Gjanica, që për çerekshekulli ishte kthyer në burim plehrash e përmbytjesh për qytetin e Fierit, mbetet projekti më madhor i zbatuar në këtë qytet.

Punimet kanë hyrë në një fazë intensive dhe brenda këtij viti, ky projekt do t’i bashkohet hartës së madhe të ndryshimeve në Fier, duke transformuar përfundimisht edhe dimensionin urbanistik të qytetit.

Sipas projektit, janë dy ura mbi lumin Gjanica, ku njëra duket se do të jetë vetëm për këmbësorët. Ndërsa në të gjithë hapësirën e sheshit, do të ketë korsi të dedikuara për biçikletat në krah të trotuareve.

Po ashtu, sheshi ri i Fierit, do të ketë një parkim nëntokësor për të cilin po vijon puna me ritme të larta, me akses në të dy ekstremet e sheshit.

Rehabilitimi i Gjanicës synon valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit dhe ndërtimit të ndërtesave publike për qëllime sportive-kulturore e të shërbimit dhe rehabilitimin selektiv sipas nevojave, të rrjetit infrastrukturor.

Paralel me këtë po punohet edhe për sistemimin e ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimin mjedisor të lumit dhe krijimin e një peizazhi rekreativ për shtratin e lumit.

Lumi Gjanica, dikur një mrekulli natyrore, për shumë vite u keqpërdor nga bizneset, të cilat e shndërruan atë në një vendgrumbullim plehrash dhe hidrokarburesh. Gjanica buron nga Mallakastra dhe përshkon qytetin e Fierit. Ai është degë e Semanit dhe buron nga pjesa jugore e malit të Shpiragut, përshkruan gjithë trevën e Mallakastrës, kalon mes përmes qytetit të Fierit dhe derdhet në Seman, në afërsi të Mbrostarit. Gjanica ka një gjatësi prej 42 km . /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.