FOTO/ Vlorë, atraksionet kulturore dhe natyrore në një broshurë turistike

TIRANË, 5 janar /ATSH/ – Vlora është një nga qendrat më të rëndësishme turistike të vendit tonë me një numër të madh atraksionesh kulturore dhe natyrore.

Për të ofruar një guidë të mirëfilltë të qytetit dhe atraksioneve të tij, DRKK Vlorë e nis këtë vit me një broshurë e cila i shërben këtij qëllimi. Në këtë guidë turistët vendas dhe të huaj do të gjejnë pikat më të rëndësishme turistike të cilat duhet të vizitohen nga të gjithë.

Vlora i ka të gjitha dhe duhet vizituar dy detet që lagin brigjet e Vlorës Adriatiku dhe Joni, duke krijuar dhe dy laguna të mëdha si ajo e Nartës dhe Orikumit, janë atraksioni kryesor për turizëm.

Gjithashtu plazhet e shumtë të Zvërnecit, me gjire të bukur e rërë të pastër dhe vazhdojnë me plazhin qëndror të Lungomares, Uji i Ftohtë, Radhimë, Orikum, Palas, Dhërmi,Himarë e pa fund plazhe që frekuentohen gjatë sezonit veror nga pushues të shumtë.

Ajo mbetet kështu qendra e gravitetit për turizmin shqiptar duke i shtuar dhe parqet e shumtë natyrorë si ai i Llogarasë, i Luginës së Vjosës dhe së fundmi  Nivicën me kanionet e famshëm për turizmin e aventurës.

Tetë kështjella të ndërtuara në rajonin e Vlorës dhe që përfaqësojnë periudha të ndryshme historike, vlerësohen si objekte të rëndësishme në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor në këtë rajon bregdetar.

Mirëadministrimi i këtyre pasurive natyrore që qyteti bregdetar ofron krijon të ardhura të konsiderueshme, por njëkohësisht ndikon në ndërtimin e një imazhi të qëndrueshëm tek turistët e huaj. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.