Reshjet e dëborës, të gjitha akset rrugore të kalueshme në qarkun Shkodër

TIRANË, 4 Janar /ATSH/ – Situata në territorin e qarkut të Shkodrës, përsa i përket akseve rrugore është e qetë. Të gjitha segmentet rrugore që lidhin qendrën e qarkut me bashkitë dhe njësitë administrative janë të kalueshme.

Prefekti i qarkut Shkodër, Çesk Millja në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare thekson se, nuk ka pasur probleme të furnizimit me energji apo emergjenca shëndetësore.

Më konkretisht në aksin Koplik-Bogë-Dedaj, mund të qarkullohet pa zinxhir. Në aksin Qafë Mali-Fierzë, qarkullohet pa zinxhir pasi nuk ka pasur reshje dëbore.

Ndërsa në rrugët rurale në bashkinë Shkodër, segmentet e Bogës – Qafë Thorë – Theth janë të kalueshme me zinxhir.

Ndërsa segmenti Prekal- Shosh- Theth nuk ka probleme sepse nuk ka patur reshje dëbore.

Në bashkinë e Malësisë së Madhe, segmenti Tamarë-Selcë është i kalueshëm me zinxhir dhe po punohet me mjetet e bashkisë.

Në bashkinë Pukë nuk ka probleme.

Në bashkinë Fushë Arrëz ka reshje dëbore me intensitet të ulët dhe kalueshmëria e mjeteve është me zinxhir.

Prefekti Millja thekson se në vijim të letër porosisë për shtim të masave për emergjencat e pritshme vazhdon monitorimi dhe bashkëpunimi me strukturat e tjera të KECQ për ndjekjen e situatës në vazhdimësi.

/gj.mima/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.