KQZ publikon afatet e partive për zgjedhjet vendore të 30 qershorit

TIRANË, 4 Janar /ATSH/ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar sot afatet që kanë partitë politike për pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Zëdhënësja për media e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxhaj theksoi se deri më datë 18 mars, partitë politike duhet të propozojnë anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-ve) për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Në rast se partitë nuk e respektojnë këtë afat, kjo e drejtë zbret tek partitë e tjera parlamentare të të njëjtit grupim dhe në instancë të fundit tek KQZ, e cila do të emërojë kryesisht komisionerët deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje.

Hoxhaj shtoi se, afati ligjor për regjistrimin e partive politike për këto zgjedhje mbaron më datë 21 prill, kurse për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore në KQZ mbaron më datë 1 maj. Regjistrimi bëhet si gjithmonë pranë KQZ-së.

Nëse partitë politike nuk respektojnë afatin e parë, ato nuk do të kenë mundësi të marrin pjesë në zgjedhjet e datës 30 qershor 2019. Nëse nuk respektojnë afatin e dytë, ato nuk mund të konkurrojnë si koalicione zgjedhore.

Më tej Hoxhaj shtoi se, sipas Kodit, depozitimi i listave shumëemërore të kandidatëve për këshillat bashkiakë dhe kandidatëve për kryetar bashkie, duhet të bëhet jo më vonë se data 13 maj.

Nëse partitë politike nuk e respektojnë këtë afat, ato do çregjistrohen dhe nuk do figurojnë në fletën e votimit.

Zëdhënësja e KQZ nënvizoi se, periudha e fushatës zgjedhore fillon në datën 31 maj.
KQZ-ja u bën thirrje publike partive politike dhe emisarëve publikë të tyre që të tregojnë vetëpërmbajtje në këtë prag zgjedhje. Kryerja e veprimtarive të fushatës përpara fillimit zyrtar të saj prish barazinë e garës në zgjedhje, e bën procesin jo të balancuar dhe të pandershëm.

KQZ-ja i bën thirrje medies të tregohet e vëmendshme ndaj kësaj forme të cënimit të barazisë së garës, të distancohet dhe ta denoncojë publikisht atë, në emër të mbrojtjes së lirive themelore të ndjekësve të tyre.

Po ashtu KQZ thekson se, partitë politike kanë detyrimin të depozitojnë në KQZ para datës 3 qershor të numrit të llogarisë bankare për pranimin e dhurimeve të fondeve jo publike, sikurse kanë detyrimin që të depozitojnë në KQZ para datës 31 mars raportet financiare për vitin kalendarik 2018.

Mosrespektimi i detyrimeve lidhur me transparencën financiare është i lidhur me aplikimin e sanksioneve të rrepta administrative.

/gj.mima/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.