FOTO/ Ekspozita “Prolog/Epilog”, përshkrimi i qenies humane në kohë dhe hapësirë

TIRANË, 4 janar /ATSH/ – Ekspozita “Prolog/Epilog” me vepra të skulptorit të njohur Kristo Krisiko në galerinë e artit FAB po shoqëron publikun në këto ditë të para të vitit. Kuruar nga profesorët Ardian Isufi dhe Sadik Spahija ekspozita prezanton vepra të ndryshme, që janë realizuar nga autori para ‘90 dhe pas këtyre viteve.

Kuratori Ardian Isufi shprehet se Prolog i një kronike të paralajmëruar, që zhvillohet përgjatë një eksperience të gjatë artistike, vjen në krijimtarinë e Kristo Krisikos si një sintezë e qenies humane e përshkruar në mënyrë të dëlirë në kohë dhe hapësirë.

“Hapësira kohore parë në rrafshin historik shtrihet në dekada të jetuara para-pas viteve ’90-të me shpërthime haluçinante të saj që fillimisht vinin si shkak-pasojë e izolimit komunist nën trysninë e rregullit të realizmit socialist të kushtëzuar në artet pamore duke u pasur në vitet e demokracisë në një arratisje në tokën helene, pra larg-afër vendit të tij”, tregon kuratori Isufi.

Koleksioni që prezantohet në këtë ekspozitë në galerinë e artit FAB sipas kuratorit Ardian Isufi e përmbledh këtë frymë lirie në çdo kohë apo periudhë të tij.

”Duke nisur me projektin skuplturor në qeramikë të Bankës së Shqipërisë, që daton në fund të viteve ’80-të e deri në të përditshmen tonë postmoderme”, tregon ai.

Epilog i një metamorfoze formash të abstraguara, apo thënë ndryshe “forma në zhvillim” shfaqin një qasje pothuajse të re në rrugëtimin artistik të viteve të fundit të skulptorit Kristo Krisiko. Ekspozita e çelur më 19 dhjetor do të qëndrojë për publikun deri më datë 9 janar në galerinë ”FAB”. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.