Doracaj: Aplikoni për karta identiteti, skadojnë 1,4 milionë të tilla

TIRANË, 4 janar/ATSH/- Përgjatë muajve janar-qershor të vitit 2019 skadon afati i kartës së identitetit për 1,4 milionë shqiptarë.

Në në deklaratë, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj sqaroi se kartat skadojnë në përfundim të afatit të tyre të vlefshmërisë, që nga marsi i 2009 ku u lëshua karta e parë e identitetit nga Autoriteti.

“Çdo qytetar, për të bërë të mundur pajisjen me dokumentin e ri të identitetit, ID kartën në rastin konkret, mund të paraqitet pranë sporteleve të kompanisë koncesionare “Aleat” dhe mund të aplikojë edhe para kësaj date, me qëllim që në rast të ndonjë fluksi të mundshëm në këtë fillim viti, apo edhe përgjatë vitit, të shmangë sa më shumë radhët apo fluksin nëpër sportelet e kompanisë “Aleat””, – thotë Dorocaj.

Për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, mund të aplikojnë pranë ambasadave,  për pasaporta dhe karta identiteti.

Por, çfarë masash shtesë janë marrë për të përballuar këtë fluks?

Në bashkëpunim me kompaninë “Aleat” ne tashmë kemi të hartuar një plan veprimi për të mundësuar pajisjen e shtetasve me kartën e identitetit në të gjitha qendrat ku ka shërbim të gjendjes civile dhe jemi në fazën e implementimit. Gjithashtu, kemi filluar një komunikim intensiv me publikun për ta sensibilizuar dhe për ta bërë të vetëdijshëm që të gjithë atyre që u skadojnë dokumentet e identitetit, nga marsi i vitit 2019 e në vijim të paraqiten në sportelet e kompanisë “Aleat” për t’u pajisur me karta identiteti. Kemi filluar dhe janë shpërndarë postera në të gjithë sportelet e shërbimit, jo vetëm të zyrave të gjendjes civile apo kompanisë “Aleat”, por dhe në sportelet e shërbimit të kujdesit ndaj klientit OSHEE dhe Postës Shqiptare. Gjithashtu nëpër pikat e kalimit kufitar shtetasit pajisen me fletëpalosje të cilat bëjnë me dije ata por dhe vlefshmërinë e kartës së identitetit dhe procedurat që duhet të ndjekin”, – thotë Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile.

Për të aplikuar për kartë identiteti nuk nevojitet asnjë dokument me përjashtim të kuponit, i cili blihet pranë sporteleve të Postës Shqiptare dhe vetë paraqitja fizike e personit në momentin e aplikimit.

Për pajisjen me pasaportë, dokumentet janë: Formulari i Policisë, i cili bën identifikimin e shtetasit, kopje e kuponit për t’u pajisur me pasaportë dhe paraqitja në sportelet e kompanisë “Aleat” për të bërë aplikimin dhe më pas për t’u pajisur me pasaportë dhe me kartë. z.tosku/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.