FOTO/ Përfundon asfaltimi i rrugëve të brendshme te Shkëmbi i Kavajës

TIRANË, 3 janar/ATSH/ – Në zonën e plazhit te Shkëmbi i Kavajës ka përfunduar asfaltimi i rrugëve të brendshme.

Projekti u zbatua nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të projekteve me impakt të lartë në zhvillimin dhe promovimin e turizmit që financohet nga qeveria shqiptare.

Shkëmbi i Kavajës është një zonë shumë e frekuentuar gjatë të gjithë vitit, nga turistë dhe banorë.

Puna për rikualifikimin urban të zonës ka filluar që prej muajit tetor. Krahas asfaltimit dhe plotësimit me sinjalistikë rrugore dhe ndriçim, në fokus të projektit është edhe shtimi i hapësirave të gjelbra, parqeve dhe këndeve të lojërave.

Shkëmbi i Kavajës ndodhet në afërsi të gjirit të Durrësit. Ai ndodhet në afërsi të fshatit Shkallnur, fare pranë bregut të detit, me një lartësi që shkon deri në 105 metra mbi nivelin e detit. Që nga kohërat më të lashta e deri më sot, vendi ka qenë dhe është mjaft i njohur dhe mjaft i frekuentueshëm nga vizitorë e pushues të shumtë. /k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.