Rama u uron mirëseardhjen dhe jep çeqet për tre foshnjet e para të 2019-ës

TIRANË, 1 janar /ATSH- I. Vata/ – Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka vizituar sot në Maternitetin “Koço Glozheni”, bebet e para që erdhën në jetë natën e ndërrimit të viteve, i cili përveç urimit të mirëseardhjes në jetë, ka dhënë edhe çeqet për tre foshnjet e para të 2019-ës, një djalë dhe dy vajza.

Kryeministri i uroi mirëseardhjen Aleksit, fëmijës së parë të lindur në këtë maternitet, por të tretit në familjen e tij, pasi është vëlla i dy motrave dhe për këtë arsye do të hyjë në shtëpi me 120 mijë lekë të reja me vete.

‘‘Ky është çeku. Aleksi është i treti, ka ardhur me xhepin plot, 120 mijë lekë të reja,’’ tha Kryeministri teksa vizitoi prindërit e vogëlushit me fat.

Pas tij ka ardhur në jetë një vajzë, fëmijë i dytë, që do të hyjë në shtëpi me 80 mijë lekë të reja, e më pas përsëri një vajzë, e cila, si fëmijë i parë do tu cojë prindërve në shtëpi 40 mijë lekë të reja.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, shpjegoi se tashmë çdo nënë e re që lind, në momentin që është në maternitet bën regjistrimin e aktit të lindjes, tashmë elektronik, si dhe merr në dorë cekun e bebes.

‘Në të 37 maternitetet e vendit është atashuar një punonjëse e gjendjes civile, kryhet e gjithë procedura online, pra bëhet regjistrimi i aktit të lindjes dhe gjithashtu vetë maternitetet kanë vënë në dispozicion një punonjës që plotëson cekun sipas një formati të caktuar për ta bërë sa më të lehtë procesin e marrjes së bonusit të bebes,’ u shpreh Manastirliu.

‘Me këtë shmangen të gjitha burokracitë, jo shkonte fondi te Bashkia, jo mblidhet Këshilli Bashkiak, jo ka lekë, jo s’ka lekë…’ tha ndër të tjera Kryeministri Rama.

Për këtë vit nga buxheti i vitit 2019, i cili bëhet efektiv pas datës 15 janar, 15 milion euro janë të dedikuara në programin e mbrojtjes sociale vetëm për bonusin e bebes.

‘Nuk do të ketë më burokraci, sepse fondet janë të destinuara direkt në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në programin e përfshirjes sociale në Shërbimin Social Shtetëror. Hapet llogaria bankare në bankë të nivelit të dytë dhe është shumë e lehtë për prindin për të marrë bonusin e bebes,’ shpjegoi ministrja Manastirliu.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.