Lehtësitë fiskale për agroturizmin

TIRANË, 1 janar /ATSH/- Lehtësitë e paketës fiskale që hynë në fuqi, sot më 1 janar 2019, adresojnë tre ndryshime thelbësore në mbështetje të agroturizmit.

Një ndryshim në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, përcakton që norma e tatimfitimit bëhet 5% për një periudhë 10-vjeçare për të gjitha ato struktura agroturistike, që deri në vitin 2021 do të përfitojnë certifikimin sipas rregullave të miratuara.

Në ligjin “Për taksat vendore” sektori agroturizmit përfiton nga heqja e detyrimit të taksës së ndikimit në infrastrukturë. Aktualisht, taksa e ndikimit në infrastrukturë aplikohet për çdo ndërtim të ri dhe është në masën 4% deri në 8% të çmimit të shitjes për metër katror.

Së treti, është trajtimi i diferencuar te Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Sipas ligjit që nis zbatimin nga 1 janari 2019, “shkalla e reduktuar e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar 6% aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, të ofruar brenda strukturave në të cilat zhvillohet veprimtari pritëse e certifikuar si ‘agroturizëm’, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, me përjashtim të furnizimit të pijeve, të ofruar në këto struktura.

Paketa lehtësuese adresuar agroturizmit, vjen komplekse duke i dhënë mbështetje biznesit në këtë sektor që nga momenti i nisjes së investimit e deri në zhvillimin e aktivitetit agroturistik. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.