Hyjnë në fuqi ndryshimet në 4 ligje të paketës fiskale

TIRANË, 1 janar /ATSH/- Paketa me ndryshimet në 4 ligjet fiskale, (për TVSH, Akcizat, tatimin mbi të ardhurat, për procedurat tatimore) që hyri në fuqi më 1 janar 2019, konsiston në hartimin  e politikave lehtësuese për rritjen e të ardhurave të biznesit, të pagave dhe nxitjen e investimeve.

Ndër ndryshimet më të rëndësishme në paketën fiskale 2019, që ndihen drejtpërdrejtë me rritjen e të ardhurave për biznesin dhe për të punësuarit janë; ulja e dividendit për sipërmarrjen në 8% nga 15% që ishte më parë dhe kufiri i taksimit me 23% për pagat do të rritet nga 130 mijë lekë në 1500 mijë lekë.

Risi tjetër që hyn në fuqi më 1 janar 2019, është edhe përjashtimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar të importit të lëndëve të para farmaceutike, inputeve bujqësore, si dhe përjashtimi nga TVSH-ja i makinerive bujqësore.

Gjithashtu edhe taksa për reklamat nga televizionet është ulur në 6% nga 10% ndërkohë që është eleminuar tërësisht akciza për fishekzjarrët, llambat, dhe bateritë.

Ndryshime të tjera janë: norme e reduktuar e TVSH 10 % për importin e autobusëve elektrikë të transportit publik, rregullimi i taksimit per personat fizik tregtar  si dhe përjashtimi nga TVSH i furnizimit me shërbim nga nënkontraktorët për kontraktorët në industrinë fason. e.xh/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.