2019-ta, viti i fillimit të negociatave me BE

TIRANË, 1 janar /ATSH- I. Vata/ -Viti 2018 ishte viti i krijimit të institucioneve të Drejtësisë së Re, 2019 është viti historik i fillimit të negociatave me Bashkimin Europian”, deklaron kryetari i grupit Parlamentarë të Partisë Socialiste, Taulant Balla duke uruar nga Elbasani të gjithë shqiptarët për Vitin e Ri.

“2018 ishte një viti i rëndësishëm në rrugën europiane të Shqipërisë, pasi Këshilli Europian hapi dritën jeshile për të vlerësuar dhe më pas për të  filluar negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Eropian dhe si e tillë të gjithë duhet të kuptojmë se ky është procesi më i rëndësishëm për ne si shqiptarë. Po ashtu, reforma në drejtës gjatë viti 2018 eci sipas të gjitha parashikimeve dhe jemi brenda  të gjitha afateve që i kishim vendosu vetes”, shprehet ai.

Duke uruar më shumë punësim, mirëqenie dhe investime në infrastrukturë në çdo cep të Shqipërisë, Balla shton se “për ne mbetet e rëndësishme çështja e punësimit dhe mirëqenies së njerëzve të cilët na kanë dhënë besimin një vit e gjysëm më parë. Sigurisht kjo mbetet ende një sfidë përpara”.

Ai shton se “në qarkun e Elbasanit ka patur plotë sipërmarrje që kanë krijuar vende të reja pune, por megjithatë jemi larg asaj që kishim dëshirë të ishim në fund të vitit 2018, dhe prandaj punësimi dhe mirëqënia mbeten si sfidë kryesore për t’u adresua me më shumë forcë”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.