Emërimi i Braçes si zv.kryeministër, Rama: Na bashkon vizioni për të gjetur rrugën më të mirë

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH – Klotilda Saraçini/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “me Erion Braçen ne nuk na ndan programi, përkundrazi na bashkon programi, na bashkon qëllimi, vizioni, por në momente të caktuara ka debate për mënyrën më të mirë të realizimit të programit ekonomik”.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve sen përse ka zgjedhur si zëvendësin e tij, një person me të cilin ka ndasi përsa i përket programit ekonomik, Kryeministri Rama theksoi se “të gjithë sa thatë ju, tregojnë të kundërtën e asaj që pretendohet dhe propagandohet nga shumëkush, që unë jam një person që dëshiroj të punoj dhe të rrethohem vetëm me njerëz që janë dakord me mua në gjithçka. Kjo është e pavërtetë dhe gjithçka që ju përshkruat për Erion Braçen është një provë fantastike që rrëzon gjithë këtë propagandë non stop prej vitesh, lidhur me si i shikoj unë marrëdhëniet me bashkëpunëtorët”.

“Me këtë rast dua t’u them se ajo që shikoni nëpërmjet televizorit kur ka debate, si debati që referuat është 1 e 100 e asaj që ndodh jashtë kamerave në debatet tona të brendshme në qeveri, Kryeministri, në grupin parlamentar, debatet tona të brendshme mes grupit parlamentar dhe qeverisë”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ne jemi një familje që diskuton, që kundërshtohemi me njëri-tjetrin dhe që e bëjmë shumë mirë dallimin mes qëllimit të përbashkët, nevojës për të gjetur rrugën më të mirë. Dua t’u them gjithë atyre që më kanë kërkuar arsye dhe argumente për ta goditur, se Erion Braçes i merrni të keqen që të gjithë. Për ju, Erion Braçe rron 2 mijë vjet, se rroj unë njëmijë”. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.