ROMË – Miratohet buxheti italian pas votëbesimit të deputetëve

ROMË, 30 dhjetor /ATSH-AFP/ – Deputetët italianë miratuan të shtunën në darkë buxhetin 2019, në një klimë të tendosur, duke votëbesuar qeverinë populiste e detyruar të zbuste masat kryesore nën presionin e Brukselit dhe tregjeve financiare.

Teksti, i hartuar pas një sprove të madhe me Komisionin Europian i cili hodhi poshtë versionin fillestar të tij, për herë të parë në historinë e BE-së, u miratua nga Senati i cili e votë besoi atë një javë më parë.

Pas dy orë deklarata nga grupe të ndryshme dhe një shkëmbim akuzash reciproke midis shumicës dhe opozitës, votëbesimi u bë i vlefshëm me 327 vota pro, 228 kundra dhe një abstenim. Miratimi zyrtar i tekstit është parashikuar për sot në mëngjes.

Qeveria e përbërë nga Lëvizja Pesë Yjet (L5Y, antisistem) dhe Liga (ekstremi i djathtë) në pushtet që nga 1 qershori parashikon një deficit publik deri në 2,04% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) kundrejt 2,4% në fillim. Parashikimi i rritjes ekonomike 2019 u ul me 1%, në vend të 1,5%. / /v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.