Qeveria, program për trajtimin e familjeve të policëve të rënë në krye të detyrës

TIRANE, 30 dhjetor/ATSH/-Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi sot në takimin me drejtuesit vendorë të policisë se nga janari 2019 Qeveria do  nisë një program trajtimi për familjet e policëve të rënë në krye të detyrës.

“Janë një numër i madh familjesh, fëmijësh jetimë të kolegëve tuaj që kanë dhënë jetën për të plotësimin e misionit të Policisë së Shtetit dhe këto familje, këta fëmijë meritojnë një trajtim përherë e më të mirë. Në muajin janar, ne do të fillojmë një cikël takimesh me të gjithë familjet e policëve të rënë në krye të detyrës me qëllim që të identifikohen edhe më qartë, edhe më thellë, nevojat, problemet e tyre dhe pastaj të ndërtohet një program i detajuar për adresimin e tyre, kryesisht në fushën e edukimit, arsimimit të fëmijëve të tyre, në fushën e punësimit të bashkëshorteve të tyre, në fushën e plotësimit të kushteve për strehim, pra tre elemente të rëndësishëm që ne duhet të gjejmë se s’bën një zgjidhje dinjitoze për të gjithë ato familje, të cilëve u detyrohemi shumë dhe për të cilët do të angazhohemi shumë”, deklaroi Lleshaj.

Ai tha se takimi do të përfundojë në muajin janar dhe në muajin shkurt do të jetë gati programi i detajuar për çdo familje. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.