FOTO/ “Babagjyshi ekziston” sjell festë për fëmijët në teatër

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ – “Babagjyshi ekziston” është shfaqja që po shoqëron çdo fundjavë fëmijët në Teatrin Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahivogli”. Kjo shfaqje po argëton dhe këtë fundjavë fëmijët në këto ditë të fundit të vitit duke sjellë pranë tyre atmosferën festive dhe personazhet ikonë të Vitit të Ri si Babagjyshin, elfët,  apo pakot dhe pemën simbol të festave.

Shfaqja trajton temën e mosbesimit të babagjyshit nga të rriturit dhe vjen nën interpretimin e aktorëve Ledian Gjeçi, Algiona Aga, Dajana Nenaj, Ledio Shehi, Mateo Dervishaj.

Kjo është një shfaqje për fëmijë por që i drejtohet edhe prindërve të cilët pa dashur ia transmetojnë këtë mosbesim fëmijëve të tyre. Subjekti i saj është për festat e fundvitit. Sipas këtij subjekti, babagjyshi për të parën herë këtë vit vjen nga Poli i Veriut përpara se të vijnë elfët e tij.

Ai vjen sepse do t’i shohë fëmijët përpara se të flenë për të parë në sytë e tyre lumturinë kur presin dhuratën e tij. Pasi ai vjen në Tokë dëgjon një prind i cili i mbush mendjen fëmijës së tij se babagjyshi nuk ekziston. I fyer nga kjo gjë ai vendos që këtë vit mos të shpërndajë dhurata. Pasi elfët e marrin vesh këtë gjë, ata bëjnë ç’është e mundur që t’i bindin prindërit për ekzistencën e babagjyshit dhe t’u kthejnë fëmijëve besimin të cilët po e humbnin pak e nga pak. Pasi e bindin prindin, ky i fundit kthehet në një elf dhe bashkë me elfët e tjerë i rikthen besimin fëmijëve.

Në këtë shfaqje, aktorët jo vetëm aktrojnë por ata kërcejnë dhe gjithashtu këndojnë duke e bërë këtë shfaqje me akoma më shumë atmosferë festash. Mesazhi i kësaj shfaqje është për të gjithë grupmoshat që ata mos t’i shuajnë fëmijëve imagjinatën, ëndrrat dhe shpresat e tyre të cilat ia bëjnë fëmijërinë më të bukur.

Gjithashtu kjo shfaqje kërkon që edhe tek të rriturit të zgjojnë besimet që ata kanë pasur në fëmijërinë e tyre. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.