Boçi: Qeveria, asnjë shpërblim për mësuesit në fundvit

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ “Që kur ka ardhur në pushtet e deri më sot, kjo qeveri nuk ka dhënë asnjë shpërblim për fundin e vitit për 34 mijë mësues në arsimin parauniversitar”.

Kështu deklaroi sot deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi gjatë një konference për shtyp.

Sipas tij, “duke mos u dhënë shpërblimin e fundvitit 34 mijë mësuesve, qeveria shkel kontratën kolektive të firmosur mes Ministrisë Arsimit dhe Sindikatave”.

“Mungesa e shpërblimit për mësuesit është reflektim i braktisjes së arsimit nga qeveria. Edi Rama nuk e ka prioritet arsimin dhe këtë e faktoi në çdo drejtim protesta e studentëve”, tha deputeti demokrat.

Ndërkohë, Boçi tha se Partia Demokratike ka të gjithë vullnetin për ta nxjerrë sistemin arsimor nga kriza dhe për të shkuar me vendosmëri drejt zhvillimit./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.