Rama: Mungesa e opozitës, rreziku më i madh i qeverisjes

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/- “Boshllëku që kemi përballë është rreziku më i madh për realizmin e qëllimeve tona. Ajo lloj opozite që edhe kur vjen në Parlament paraqitet si një konglomerat muskujsh, si një trup i hallakatur ku nuk ke përballë njerëz, por ke përballë gjymtyrë, gjymtyrë që synojnë të godasin, gjymtyrë që synojnë të krijojnë situata fizike, është burimi më i madh i rreziqeve tona, sepse na krijon komfortin e të qenit e vetmja zgjidhje, e vetmja rrugë, e vetmja alternativë, e vetmja mundësi. Por jo për sa kohë unë do drejtoj një parti, kurrë nuk do të pranoj që ne të jemi e keqja më e vogël”, – deklaroi Kryeministri i vendit Edi Rama.

Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së, Kryeministri tha se, nuk mund të qeverisim si e keqja më e vogël.

“Në zgjedhjet e radhës në mandatin e parë, nuk shitëm qëllimet dhe nuk tregtuam objektivat, madje patëm gjithë gatishmërinë që ta rrëzonim qeverinë e koalicionit për shkak të Reformës në Drejtësi, sepse Reforma në Drejtësi ishte më e rëndësishme sesa pushteti ynë dhe fituam zgjedhjet vetë, sepse njerëzit janë shumë më të mençur seç duken nga lartësia e arenës politike dhe ne nuk mund të pajtohemi për asnjë moment me një mënyrë qeverisje që kënaqet me pak”, – theksoi Kryeministri Rama.

Ndërsa nënvizoi se, “një mënyrë e të qeverisurit që nuk ka brenda shpirtin e protestës ndaj sistemit që kemi trashëguar, që nuk ka brenda reagimin instiktiv të përditëshmërisë ndaj mekanizmave të korruptuar dhe të degraduar të sistemit që kemi trashëguar dhe që duhet ta reformojmë e reformojmë”.

Duke u kthyer në çështjen e universitetit, Kryeministri tha se, nuk kemi bërë absolutisht atë që duhet lidhur me ligjshmërinë.

“Gjithë baza e shkruar më së miri në Ligjin për Arsimin e Lartë, që hap një epokë të re për universitetin, është ende në pjesën më të madhe në letër dhe ajo që është sa e dukshme, dhe tronditëse, është se nuk kemi bërë aktet nënligjore. Kemi humbur kohë, kohë për të bërë aktet nënligjore”, – tha Rama.

Por cili është justifikimi dhe nuk ka justifikim. Cili është shpjegimi për këtë? – tha Rama, ndërsa theksoi se, “shpjegimi për këtë dhe për shumë të tjera si kjo, është që ne nuk kemi opozitë dhe mungesa e opozitës na ka mpirë një pjesë të shqisave dhe na ka ulur një pjesë të kapaciteteve tona reaguese dhe të kapaciteteve tona udhëheqëse”.

“Shumë kanë bërë pyetjen: Pse tani? Pse nuk i bëtë këto reforma? Në sistemin ku jetojmë, organizmi i sistemit është i tillë që funksionon në bazë të tensioneve të krijuara mes njërës palë dhe palës tjetër dhe mbi bazë të presioneve që vijnë nga poshtë dhe kjo është edhe arsyeja, që prej ditës së parë të këtij mandati dhe në mënyrë të përditshme kam këmbëngulur që vakumi që kemi përballë aty ku duhet të kishim opozitën, është kërcënimi më i madh për objektivat tanë”, – theksoi Rama.

Kryeministri i vendit tha se, “mandati i dytë është një mandat për një rilindje 2.0, jo një mandat për të vazhduar inercinë e asaj që kemi bërë dhe për të lënë në mes, rrugën mes thënies mjaft tranzicionit në letër dhe thënies stop tranzicionit në realitet”. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.