Meta vlerëson sportistët e shquar të klubit “Skënderbeu”

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ – Në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, në futboll e disiplina të tjera, njëherazi personalitete të sportit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Presidenti Meta vlerësoi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” atleten e shquar dhe kampionen e Europës, Pavlina Evro, futbollistin Teodor Vaso, atletin dhe trajnerin e paharruar Piro Kasati (pas vdekjes) dhe mbrojtësin Koço Dinella.

Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti i Republikës çmoi (pas vdekjes) basketbollistet Zamira Koleci e Tamara Nikolla dhe futbollistin Dhimitër Xhambazi.

Në fjalën e tij Presidenti Meta u shpreh, ”është kënaqësi e rrallë të jem në këtë qytet, në Korçën e dashurisë e të arsimit, por është edhe vështirë për të qenë sontë në Korçën e sportit sepse do të na duheshin ditë e netë të tëra për të bërë nderimin e duhur të të gjithë atyre sportistëve të ‘Skënderbeut’ që kanë nderuar Korçën dhe mbarë Shqipërinë”.

”Po kështu dëshiroj të shpreh nderimin më të lartë edhe për ata sportistë, të cilët kemi pasur mundësinë t’i ndjekim që fëmijë si Jani Kaçin që mbronte e zbukuronte portën e ‘Skënderbeut’ e të Kombëtares sonë. Por edhe për Jorgjeta Ciricin, Eno Dunin, për Berti Damon, Adriatik Metën, Lindita Shehun, Tomi Stefanllarin, për trainerin Aleko Pilika, Alma Qeramixhi, Dhimitraq Dembon, Miladin Kërçiçin e shumë e shumë të tjerë e deri te brezi më i fundit me Bledi Shkëmbin me shokë”, – tha Meta.

Por jo vetëm për të, edhe për një shokun e tij të skuadrës, një korçar tjetër, i cili vendosi një rekord në moshën 20-vjeçare duke ruajtur të paprekur rrjetën e Shqipërisë me nënkampionët e botës. Mendoj se kjo gjeneratë meriton edhe një respekt më të thellë, sepse në ato vite të errëta e në një vend të harruar e riktheu në vëmendjen e Europës përmes futbollit, e në radhë të parë përmes talentit e pasionit të këtyre sportistëve të jashtëzkonshëm.

”Kam kënaqësinë si President i Republikës që të vlerësoj Dhimitër Xhambazin, këtë figurë të shquar të futbollit të Korçës e të mbarë Shqipërisë, njërin prej golashënuesve më të mirë të kampionateve tona kombëtare. Jo vetëm një futbollist shumë i talentuar dhe një golashënues i frikshëm, kuptohet për kundërshtarët, por njëkohësisht edhe një trainer, edukator, intelektual dhe qytetar shumë i nderuar”, – vijoi Meta.

Meta tha se, ”titujt që i akordojmë këtyre personaliteteve të sportit të Korçës e të “Skënderbeut”, janë një vlerësim i punës, sakrificave, rezultateve, respektit, miqësisë, thjeshtësisë dhe korrektësisë, që ka karakterizuar të gjithë këta sportistë, që janë një pasqyrë reflektimi e frymëzimi për të gjithë sportistët tanë, sidomos për të ardhmen”.

”Sidomos për brezin e ri, jo vetëm vajzat dhe djemtë korçarë, por të mbarë vendit, në mënyrë që t’i përkushtohen më shumë sportit, të kenë më tepër besim te vetja, që të guxojnë të arrijnë rezultate më të suksesshme”, – u shpreh Meta.

”Edhe njëherë mirënjohje pa fund të gjitha këtyre legjendave të ‘Skënderbeut’ e të sportit tonë kombëtar! Le të shërbejnë këto legjenda për t’u dhënë besimin e duhur fëmijëve dhe të rinjve në rrugën e sportit e në rrugën e suksesit në jetë”, – theksoi Presidenti Meta.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm deputetë të qarkut Korçë, ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, kryetari i bashkisë Sotiraq Filo, autoritete vendore, figura dhe personalitete të sportit e të kulturës, si dhe kryetarja e bashkisë së Bitolës (Manastirit) Natasha Petrovska, Ambasadori i Maqedonisë Dancho Markovski dhe shumë qytetarë. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.