Gega merr oferta nga Arabia, por “Partizani” ka gati rinovimin e kontratës

TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ – Trajneri i “Partizanit” Skënder Gega mund të largohet drejt Arabisë.

Skënder Gega është kontaktuar nga një klub i vendeve arabe ditët e fundit, ku i është bërë një ofertë e majme financiare, megjithatë ende nuk ka të dhëna për emrin e ekipit.

Geges i skadon kontrata me “Partizanin” dhe ky fakt ka shtyrë klubin arab ta përfshijnë trajnerin shqiptar në listën e dëshirave.

55-vjeçari para se të vinte në Shqipëri ka qenë në Kuvajt, për një sezon ka drejtuar “Al-Jahra”.

Të kuqtë e quajnë të mbyllur rinovimin me teknikun, duke parë edhe rezultat që ka arritur deri më tani skuadra e cila renditet e vetme në krye të Superligës.

Pritet që në ditët e para të janarit të flitet më konkretisht për detajet e fundit të marrëveshjes. Në verë ai firmosi për 6 muaj. Që Skënder Gega të qëndrojë në krye të stolit të “demave”, duhet fillimisht që të arrihet akordi me klubin.

Drejtuesit nuk e diskutojnë këtë çështje, madje ishte vetë drejtori Olsi Rama që qartësoi se teknikut jo vetëm i kanë prerë biletën nga Nju-Jorku për në Antalia (ku do të zhvillojnë fazën përgatitore), por do i jepet edhe “çek i bardhë”.

Kjo nënkupton se 55-vjeçari ka në dorë jo vetëm kohëzgjatjen e kontratës së re, por edhe rrogën. /o.l//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.