Shërbimi i Urgjencës, mbi 12 milionë euro investime për uljen e vdekshmërisë

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ – Qeveria shqiptare ka investuar mbi 12 milionë euro për shërbimin e Urgjencës paraspitalore, me qëllim uljen e vdekshmërisë dhe invaliditetit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pothuajse gjysma e humbjeve të jetës dhe mbi 1/3 e paaftësisë, në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta mund të adresohen duke krijuar një qasje të integruar të urgjencës dhe traumës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha gjatë prezantimit të 32 mjeteve të reja të autoambulancave se, investimi në këtë qasje do të ulë vdekshmërinë dhe invaliditetin.

“Është një ndër hallkat me problematike të sistemit shëndetësor. Organizata Botërore e Shëndetësisë, vlerëson se pothuajse gjysma e humbjeve të jetëve dhe mbi 1/3 e paaftësisë, në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta mund të adresohen duke krijuar një qasje të integruar të urgjencës dhe traumës. Pasi prioritizimi sipas një qasje të integruar, duhet që të na çojë në këto drejtime: në njohjen më të mirë të rastit emergjent, përgjigjes së menjëhershme, menaxhimit në kohë duke ulur mortalitetin dhe padyshim duke ulur invaliditetin. Ndaj, këto tre vite kemi pasur synim të investojmë pareshtur në shërbimin e urgjencës paraspitalore mbi 12 milionë euro janë investuar në burime njerëzore, në pajisje, në autoambulanca të reja, në qendrën kombëtare të urgjencës mjekësore, në qendrën unike të koordinimit të të gjitha thirrjeve që sot kanë skedat elektronike për çdo qytetar që merr dhe referon një rast dhe jo vetëm për referim në spital por edhe shërbim në banesë, por edhe për këshillim telefonik për çdo emergjencë që mund të kenë. Ne tashmë jemi angazhuar në qasjen tonë universale në shërbimin e urgjencës, por jo vetëm. Ky shërbim mbetet kritik”, – bëri të ditur ministrja. /z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.