Kosovë – Takim tjetër koordinues për dialogun me Serbinë, të pranishëm edhe ambasadorët e Quint-it

PRISHTINË, 27 dhjetor /ATSH/ – Edhe një takim tjetër koordinues për Dialogun Kosovë-Serbi mbahet sot paradite në ambientet e Kuvendit të Kosovës me ftesë të Kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Për sot, paralajmërohet pjesëmarrja edhe e ambasadorëve të vendeve të Quint-it, të akredituar në Prishtinë, si dhe përfaqësuesve të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë.

Sipas njoftimit të dërguar nga Kuvendi bëhet e ditur se janë “të ftuar: Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj, Ekipi Negociator, përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga opozita, LDK dhe VV, ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë”.

Në takimin e djeshëm nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e grupeve parlamentare të dy partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk kanë paralajmëruar pjesëmarrje as për sot. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.