FOTO/ Në 3 vite, 3 mijë jetë të shpëtuara nga Urgjenca Kombëtare

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Nga nëntori i vitit 2015, Urgjenca Kombëtare Mjekësore ka shpëtuar 3 mijë jetë njerëzish, vetëm falë pajisjes me aparaturat që i përgjigjen çdo urgjence kardiake.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të flotës së re të autoambulancave, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.

“Sot kemi një Urgjencë Kombëtare Mjekësore realisht në shërbim 24 orë në 7 ditë, ashtu sikundër kemi një urgjencë mjekësore që ka shpëtuar statistikisht, falë sigurimit të funksionit të shërbimit të sëmundjeve kardiake dhe ato vaskulare dhe cerebrale, 3 mijë jetë njerëzish. Kjo sipas të dhënave të kompjuterizuara nga nëntori 2015”, – tha Rama.

Për ne, tha Rama, është një arsye për t’u krenuar e vërteta e thjeshtë e jetës së shpëtuar të atyre mijëra njerëzve që i drejtohen sot Urgjencës Kombëtare.

“Në historinë e këtij vendi, Urgjenca Kombëtare nuk ka qenë kurrë më pranë njerëzve sesa sot”, – tha Rama.

Rama nënvizoi po ashtu se “qeveria ka dyfishuar personelin mjekësor në Urgjencën Kombëtare Mjekësore krahasuar me vitin 2015”.

“Personeli i urgjencës sot është dyfishuar. Kemi 448 mjekë më shumë se 5 vite më parë. Po ashtu, Urgjenca Kombëtare Mjekësore është dixhitalizuar dhe kompjuterizuar dhe është në gjendje t’i përgjigjet në kohë reale çdo thirrje”, – tha Rama.

Sipas tij, janë 49 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj që janë shërbyer vetëm në qendrat shëndetësore turistike, falë kujdesit të 17 autoambulancave përgjatë vijës bregdetare.

Sot, tha Kryeministri, janë 900 thirrje në ditë, të cilat shkojnë direkt përmes sistemit të kompjuterizuar në veshin e Urgjencës, dhe nuk ka më histori që nuk përgjigjet Urgjenca, siç ndodhte 4-5 vjet më parë.

Rama theksoi se “sot çdo shërbim regjistrohet online, ndërkohë që koha e ndihmës së parë është shkurtuar në mënyrë të ndjeshme”. “50% e shërbimit është i përqendruar në banesa, falë trajnimit dhe gatishmërisë së personelit të Urgjencës. Autoambulancat sot nuk janë thjesht taksi që i marrin njerëzit dhe i përplasin te dera e spitalit, por janë shërbim ambulant që ka përgjysmuar me 50% numrin e pacientëve, duke ua dhënë shërbimin në banesë. Deri dje, autoambulancat të hidhnin te dera e spitalit, por vetëm heroizmi i mjekëve mundi t’ia dalë në një sistem komplet të korruptuar të shërbimit shëndetësor”, – tha Rama.

Këto janë shifra domethënëse që janë investuar, tha Rama, duke shtuar se “edhe uniformat e standardizuara të urgjencës nuk janë fasadë, por janë shëmbëlltyra e një trupe në gatishmëri për punë”.

Rama tha se ‘janë 32 autoambulanca të reja që i janë shtuar flotës, por edhe 100 sete moderne të integruara në ambulancat e kaluara”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.