TIRANË, 27 dhjetor /ATSH/ – Bashkia Divjakë ka filluar rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Hysni Malko” në fshatin Kryekuq, Njësia Administrative Remas.
Projekti i rikonstruksionit të shkollës përfshin edhe një shtesë e cila do të shërbejë ambienteve të kopshtit. Edhe tualetet tashmë do të jenë në ambientet e brendshme të objektit. I gjithë objekti do të mbulohet me çati. Të gjitha punimet do të kryhen me standarde bashkëkohore dhe me teknika moderne siç është dhe veshja e jashtme me sistem kapotë, i cili izolon objektin dhe e mbron nga i ftohti në dimër dhe vapa gjatë temperaturave të larta. Ndërsa jashtë do të krijohen ambiente sportive, të cilat përveç shkollës do të jenë dhe në shërbim të komunitetit. Pra do të krijohet një qendër komunitare me të gjitha funksionet. /m.z/e.caushi/