Përcaktohen kriteret për anëtar të Bordit të Administrimit në institucionet e arsimit të lartë

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot përcaktimin e kritereve dhe procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Administrimit, përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin, në institucionet publike të arsimit të lartë, me qëllim garantimin e profesionalizmit, të pavarësisë dhe të integritetit etik të anëtarit të bordit.

Në vendim thuhet se Bordi i Administrimit, si organi më i lartë kolegjial administrativ, do të garantojë përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij. Ai do të përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë, të punësuar me kohë të pjesshme.

Anëtarët, përfaqësues të institucionit publik të arsimit të lartë, përzgjidhen nga senati akademik i institucionit përkatës.

Anëtarët përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin do të jenë ekspertë të njohur nga fushat akademike, menaxheriale, publicistike, ekonomike e juridike dhe emërohen nga ministri përgjegjës për arsimin.

Përbërja e Bordit të Administrimit përcaktohet në varësi të planit buxhetor afatmesëm të institucionit publik të arsimit të lartë, të miratuar nga Bordi i Administrimit.

Një nga anëtarët përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin përzgjidhet nga studentët e IAL-së përkatëse, të cilët i paraqesin ministrit tri kandidatura.

Ministri përgjegjës për arsimin emëron një prej kandidaturave të paraqitura nga studentët. Kandidaturat e paraqitura nga studentët duhet të plotësojnë të njëjtat kritere si dhe anëtarët e tjerë të bordit përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

Njoftimi për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit, mënyra e vlerësimit të kandidatëve bazuar në kriteret e parashikuara në këtë vendim dhe afati i dorëzimit të dokumentacionit përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin.

Njoftimi i konkurrimit për anëtar të bordit përmban këto të dhëna:

  1. a) Një përshkrim të shkurtër të kompetencave e të funksionit që do të mbulojë anëtari;
    b) Kërkesat për pranimin e kandidatëve;
    c) Listën e dokumenteve që duhet të paraqiten, vendin dhe afatin deri kur do të paraqiten dokumentet;
    ç) Mënyrën dhe kohën kur do të shpallet lista e kandidatëve që do të kualifikohen.

Njoftimi publikohet në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për arsimin, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Qendrës së Botimeve Zyrtare dhe në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik.

Çdo kandidat për anëtar të bordit duhet të jetë person me profil publik dhe arritje të shquara brenda apo jashtë vendit, në fushat akademike, menaxheriale, publicistike, ekonomike dhe juridike.

Kriteret për t’u emëruar anëtar i bordit janë, si më poshtë vijon:

  1. a) Të ketë integritet etik dhe profesional;
    b) Të mos jetë i angazhuar në funksione drejtuese partiake;
    c) Të mos jetë i dënuar penalisht, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
    ç) Të mos ketë konflikt interesi në përmbushje të kërkesave dhe dispozitave ligjore për parandalimin e konfliktit të interesave.

Përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë të bordit kryhet nga një komision ad hoc i ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin, i cili shqyrton dokumentacionin e paraqitur dhe harton listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore.

Komisioni ad hoc, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e mbylljes së afatit të dorëzimit të dokumentacionit, shqyrton dokumentacionin dhe harton listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë vendim, të shoqëruar me një relacion përmbledhës, i cili i paraqitet për miratim ministrit përgjegjës për arsimin.

Ministri përgjegjës për arsimin emëron anëtarët e bordit për secilin institucion të arsimit të lartë.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi. /m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.