Ligji i Arsimit të Lartë nuk preket, Rama: Të mbushim boshllëkun nga ligji, tek ligjshmëria

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ “Nuk ka arsye të preket ligji i Arsimit të Lartë sot”, – theksoi Kryeministri Edi Rama në daljen para medieve. Ai argumentoi se nga të gjitha bisedat publike dhe jopublike që ka zhvilluar, nuk ka dëgjuar asnjë fakt se zhvillimin pozitiv që solli protesta e studentëve, ta ketë penguar Ligji i Arsimit të Lartë.

“Shumë gjëa që kërkohen nga studentët, i kërkon edhe Ligji. Duhet të mbushim boshllëkun nga ligji, tek ligjshmëria”, – theksoi Kryeministri Rama, duke argumentuar se moszbatimi i masës për vendosjen e rripit të sigurisë nuk nxiti nevojën për një ligj të ri.

“Ligji i Arsimit të Lartë nuk preket dhe u them atyre që mbledhin firma për ndryshimin e Ligjit, se fillimisht duhet të ndajnë se çfarë pedagogësh janë. Ka nga ata që janë heronj, por ka edhe nga ata, që u shkon ajo shprehja: sa gjëra bëhen në emrin tënd, o popull”, – theksoi Rama.

Para se pedagogët të shkojnë te Ligji, vuri në dukje Kryeministri, secili duhet të provojë përputhjen e vet me ligjin, nëse janë doktorë, profesorë apo tjetër.

“Kush kërkon prekjen e Ligjit ka të drejtën e vet, po Ligji është rezultat i një shumice që ka marrë mandatin e popullit dhe asnjë pakicë nuk mund të imponojë asgjë”, – tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.