Haradinaj: Në bisedimet me Serbinë nuk do të negociohet shkëmbimi i territoreve

PRISHTINË, 26 dhjetor /ATSH/ – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në takimin e thirrur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me qëllim që të koordinohen veprimet e përbashkëta si dhe për ndërtimin e koncensusit nacional për fazën finale të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Pjesë e takimit ishin edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi si dhe bashkëkryesuesi i dialogut, Shpend Ahmeti.

Për këtë qëllim, Kryeministri Haradinaj, tha se mirëpret çdo ide dhe sugjerim rreth dialogut Kosovë – Serbi, por asnjëherë, në tryezat e bisedimeve nuk do të flitet apo negociohet për shkëmbim të territoreve.

Qeveria e vendit, me qëllim që Ekipi Negociator të vihet në korniza ligjore, ka miratuar projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror si dhe ka sponsorizuar hartimin e draftmarrëveshjes, Librin e Madh me shumë kapituj, që është shkruar nga ekspertët e Qeverisë, duke e pajisur ekipin negociator të vendit me një materie të gjallë, gjithëpërfshirëse dhe të hapur.

Liderët institucionalë, po ashtu thanë se do të zhvillohen edhe takime të tjera dhe se të gjithë duhet të bashkohen rreth këtij procesi, i cili do të jetë transparent për qytetarët rreth asaj se çfarë do të bisedohet mes Kosovës dhe Serbisë në fazën finale. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.