Gjirokastër/ Prefektura masa për festat e fundvitit

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ – Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, mblodhi sot në një takim pune drejtues të degëve territoriale dhe institucioneve shtetërore në nivel vendor, ku diskutoi rreth masave që duhet të marrë çdo institucion për mbarëvajtjen e festave të fundvitit.

Aliaj u shpreh gjatë kësaj mbledhje se një vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet garantimit të rendit dhe sigurisë publike në të gjithë qarkun dhe sidomos ambienteve të hapura ku dhe do të zhvillohen festat (sheshet, rrugët etj.).

Policia e Shtetit do të jetë në gatishmëri për garantimin e sigurisë rrugore sidomos në akset rrugore kryesore Kakavijë-Memaliaj, por edhe në aksin Ura e Leklit – Tre Urat (Çarshovë).

Gjithashtu edhe në pikat doganore, Kakavijë dhe Tre Urat duhet vëmendje maksimale për shkak të shtimit të fluksit të emigrantëve të cilët vijnë për të festuar festat e fundvitit.

Spitali Rajonal dhe të gjitha qendrat shëndetësore duhet të rrisin masat dhe të jenë në gatishmëri të plotë me personel dhe mjete për të gjitha emergjencat e mundshme.

AKU dhe inspektoratet të ushtrojnë kontrolle periodike duke garantuar tregtimin e ushqimeve por edhe zbatimin e ligjit në ambientet si restorante, kafene apo parqe dhe vende të tjera të cilat mund të shfrytëzohen për kamping e që mund të shndërrohen në vatra zjarri.

Sistemi Zjarrfikës të jetë në gatishmëri të plotë me personel dhe mjete, të ushtrojnë kontrolle për marrjen e masave dhe parandalimin e zjarreve apo fatkeqësive të tjera natyrore.

Drejtoria e OSHEE të marrë të gjitha masat për të pasur në vazhdimësi energji elektrike deri në pikën më të largët të qarkut.

Autoriteti Rrugor Jugor të mbajë kontakt me subjektet e mirëmbajtjes së rrugëve dhe të mos ketë bllokime në rast shkarje dherash apo emergjencave të tjera.

Si dhe të gjitha degët territoriale ashtu si çdo vit, të jenë në shërbim të qytetarëve për të garantuar një shërbim të lartë dhe profesional ndaj qytetarëve gjatë festave të ndërrimit të vitit. /m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.