BOSNJE – Tensione pas arrestimit të liderit të një manifestimi

SARAJEVË, 26 dhjetor /ATSH-AFP/ – Tensione të forta dje mes manifestuesve dhe policisë në Banja Luka, kryeqyteti i entitetit serb të Bosnjes, pas arrestimit të liderit të një grupi që organizonte prej nëntë muajsh manifestime të përditshme për të kërkuar të vërtetën në lidhje me vrasjen e një studenti.

Gjatë gjithë ditës, forcat speciale të policisë largonin nga qendra e qytetit të Banja Lukës disa qindra mbështetës të grupit “Drejtësi për Davidin”, që kishin dalë në rrugë për të protestuar kundër arrestimit të liderit të tyre, Davor Dragiçeviç.

Dragiçeviç, djali i të cilit, Davidi, u vra në moshën 21-vjeçare, u ndalua sot në mëngjes.

Davor Dragiçeviç dhe ish-bashkëshortja, Suzana Radanoviç, akuzojnë prej disa muajsh përgjegjësit e policisë dhe të pushtetit të Republikës Srpska, entiteti i serbëve të Bosnjes, se kanë vrarë djalin e tyre, një akuzë që këta të fundit e kundërshtojnë.

Kufoma e Davidit, një student në informatikë, u gjet në mars në një përrua pranë Banja Lukës, disa ditë pas zhdukjes së tij. Vrasësit nuk janë gjetur ende./ /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.